Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ambasada e Kosovës në Hagë u bën thirrje qytetarëve: Ruajeni qetësinë, shmangini provokimet dhe respektojeni ligjin

Gazeta10
16 September 2026 - 15:13

Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur sot nga Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në reagimin e saj, ambasada ka shprehur zhgënjim lidhur me verdiktin, duke thënë se beson që aktgjykimi mund të ndryshohet në shkallën e apelit.

Njoftimi i plotë:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë ka ndjekur me shqetësim të lartë verdiktin e dhënë sot nga Dhomat e Specializuara të Kosovës lidhur me rastin e liderëve të UÇK-së, z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Jakup Krasniqi dhe z. Rexhep Selimi.

Ky vendim ka shkaktuar, me të drejtë, zhgënjim të thellë në mbarë Kosovën dhe përbën një lajm thellësisht zhgënjyes për të gjithë ne. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë një luftë të drejtë, vetëmbrojtëse dhe të domosdoshme. Këtë fakt nuk e ndryshon askush, asnjëherë.

Besojmë se aktgjykimi përfundimtar në shkallën e apelit do ta ndryshojë këtë interpretim dhe këtë aktgjykim. Në këto momente, shprehim solidaritetin tonë me familjet e z. Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli, z. Jakup Krasniqi dhe z. Rexhep Selimi.

Në të njëjtën kohë, Ambasada e Republikës së Kosovës u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në Hagë të ruajnë qetësinë dhe maturinë, të mos bien pre e provokimeve, të respektojnë rregullat dhe kushtet mbi të cilat është dhënë leja për protestën nga Komuna e Hagës, si dhe të respektojnë shtetin mik, Mbretërinë e Holandës.

Dhuna nuk lejohet. Paqja, dinjiteti dhe respektimi i ligjit janë përgjegjësi e të gjithëve.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.