
Deputetja e PDK-së, Jashari, në një deklaratë për Kanal10, ka kërkuar që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të angazhohen që nesër të thirret seancë e jashtëzakonshme, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike.
Jashari ka thënë se kjo seancë duhet të shërbejë, sipas saj, për të dëshmuar që institucionet dhe deputetët janë në mbrojtje të liderëve të UÇK-së.
“Është një tentativë për ta rishkruar historinë e Kosovës dhe nuk ka të bëjë me asgjë politike. Nuk guxon askush ta politizojë këtë çështje”, ka deklaruar Jashari.
Ajo ka theksuar rëndësinë që, sipas saj, ka UÇK-ja për shoqërinë kosovare.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë tri shkronja që na kanë bashkuar dhe na bashkojnë secilin. Çdo politikëbërës e ka për detyrë të dëshmojë nëse është për atdheun e tij apo jo. Nëse nuk është, më mirë të largohet nga pozitat që i ka”, ka thënë ajo.
Jashari i është drejtuar publikisht edhe Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar të bëhen të ditur hapat që institucionet do të ndërmarrin lidhur me situatën.
“Si qytetare e Kosovës, si pjesëtare e familjes Jashari dhe si deputete, kërkoj nga Qeveria e Kosovës të na tregojë cilët janë hapat që ka ndërmarrë”, është shprehur ajo.
Ajo ka bërë të ditur se tashmë i është drejtuar kryesueses së Kuvendit me kërkesë publike për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme.
“Kam bërë kërkesë publike dhe i jam drejtuar kryesueses së Kuvendit, sepse ajo, edhe pa nënshkrime, mund ta thërrasë Kuvendin për një seancë”, ka deklaruar Jashari.
Në fund, ajo i ka bërë thirrje kryesueses së Kuvendit, Albulena Haxhiut, që nesër të mblidhet Kuvendi.
“Albulenës i kërkoj publikisht që nesër të mblidhet Kuvendi. Nuk bëhet hajgare me shtetin”, ka përfunduar Jashari./Gazeta10