Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Eksperti ndërkombëtar: Aktgjykimi ndaj krerëve të UÇK-së mund të kontestohet në aspektin faktik dhe juridik

Gazeta10
17 September 2026 - 8:47

Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Mark Ellis, ka bërë me dije se aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të përballet me një proces të fuqishëm apeli.

Ai ka bërë me dije se ky aktgjykim mund të kontestohet në aspektin faktik dhe juridik.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ellis ka thënë se në pel gjithmonë ekziston mundësia të argumentohet se aktgjykimi është i gabuar, qoftë në aspektin faktik, qoftë në atë juridik.

“Mendoj se në apel gjithmonë ekziston mundësia të argumentohet se aktgjykimi është i gabuar, qoftë në aspektin faktik, qoftë në atë juridik. Kjo është ajo që do të përpiqet të bëjë mbrojtja. Por, duhet kujtuar se edhe Prokuroria mund të apelojë. Sa u përket lirimeve nga akuzat për krime kundër njerëzimit, pres që Prokuroria të argumentojë se trupi gjykues e ka zbatuar gabimisht kriterin për ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik”, ka thënë ai, duke treguar se çka do të sfidojë mbrojtja.

“Nga ana tjetër, mendoj se mbrojtja do të argumentojë se nuk kishte prova që e lidhnin drejtpërdrejt Thaçin me krime konkrete, apo që dëshmonin se ai kishte kontroll efektiv mbi komandantët. Ky ishte një nga argumentet e mbrojtjes. Pra, ata do të argumentojnë se faktet nuk e mbështesin aktgjykimin. Mendoj se do të kemi një proces të fuqishëm apeli, nga të dyja palët”, është shprehur ai.

Ai ka vlerësuar se për shkak të volumit të çështje, procesi i apelit do të marrë kohë.

“Është pyetje e mirë. Duke pasur parasysh sa gjatë ka zgjatur gjykimi, edhe apeli mund të marrë kohë. Por, nuk bëhet fjalë për një gjykim të ri – çështja nuk do të rigjykohet nga fillimi. Në apel do të shqyrtohen çështjet juridike dhe faktet që janë paraqitur gjatë gjykimit. Nuk mund të them saktësisht se sa do të zgjasë procesi, por sigurisht nuk do të zgjasë aq sa gjykimi”, ka thënë ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
17 September 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.