Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gashi për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së: Për popullin shqiptar, ata janë dhe mbeten çlirimtarë

Gazeta10
17 September 2026 - 10:31

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka thënë se asnjë verdikt nuk mund ta mohojë faktin se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi i përkasin një kapitulli të lavdishëm të historisë së Kosovës.

Pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Gashi tha se të njëjtit, për popullin shqiptar, janë dhe mbeten çlirimtarë.

Sipas tij, beteja me Specialen do të vazhdojë edhe në apel.
Ky është postimi i plotë i Gashit në rrjetin social Facebook:

Në kohën kur liria e Kosovës dhe paqja e stabiliteti i rajonit ishin ende një ideal për të cilin duhej luftuar, ata patën guxim të angazhohen dhe ta marrin mbi vete përgjegjësinë historike për ta sjellë lirinë te populli i tyre.

Për popullin shqiptar, ata janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës. Lufta e UÇK-së, sakrifica dhe vetëmohimi i atyre që e udhëhoqën dhe ishin pjesë e saj janë vetë rruga që çoi në lirinë e Kosovës dhe në një epokë të re paqeje e stabiliteti në rajon.
Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë, ndërsa beteja për drejtësi vazhdon.

Andaj, sot është dita të qëndrojmë bashkë, me dinjitet e qetësi dhe të dëshmojmë se mendjet dhe zemrat tona janë pranë çlirimtarëve dhe familjeve të tyre.

Sepse Kosova e lirë ishte beteja më e vështirë dhe ata e fituan. Sepse Kosova e lirë është dëshmia e atij brezi që guxoi ta ëndërronte lirinë dhe njëkohësisht ngushëllimi që duhet të na mbajë të fortë përballë vendimit të sotëm dhe sfidave të tjera.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
17 September 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.