Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti: ADN-ja konfirmon se mbetjet mortore i përkasin “Grupit të Intelektualëve”, jetike rritja e trysnisë ndaj Serbisë

Gazeta10
19 September 2026 - 13:56

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë konfirmuar përmes analizës së ADN-së identitetet e tri viktimave të luftës, të lidhura me  “Grupi i Intelektualëve”, të rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Sipas Kurtit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur është njoftuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) për pranimin e tri raporteve të para të ADN-së, të përgatitura nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

“Analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, duke vërtetuar lidhjen me personat e grupit të njohur si ‘Grupi i Intelektualëve’, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica”, ka shkruar Kurti.

Raportet e ADN-së janë përcjellë te Instituti për Mjekësi Ligjore, ndërsa përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave për identifikimin.

Kurti ka bërë të ditur se priten edhe raporte të tjera për mostrat e dërguara për analiza, me shpresën që edhe familjet e tjera të personave të zhdukur të marrin përgjigjet e shumëpritura.

“Njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve”, është shprehur ai.

Kryeministri ka rikujtuar se më 27 korrik ishte konfirmuar gjetja e varrit masiv në Kalludër. Ai ka përsëritur kërkesën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar më 2 maj 2023 në Bruksel.

Në veçanti, Kurti ka kërkuar hapjen e arkivave, përfshirë dokumentacionin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, për të cilën ka pretenduar se ka kryer masakra në Kosovë, veçanërisht në Drenicë.

“Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor, që mbetet i hapur për sa kohë qoftë edhe një familje pret përgjigje”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se çështjen e personave të zhdukur do ta ngrejë edhe gjatë vizitës në SHBA dhe takimeve në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke kërkuar nga SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe presion ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe ofrimin e informacionit për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Lidhur me këto zhvillime, televizioni Kanal10 kishte raportuar eksluzivisht për herë të parë direkt nga fshati Kalludër e Vogël të Zubin Potokut.

EKSKLUZIVE! – Deri më tani 6 trupa të gjetur gjatë gërmimeve në Zubin Potok

Gjendet municion në lokacionin e gërmimeve në Zubin Potok

 

EKSKLUZIVE: Gjenden mbetje të reja kockore në Kalludër të Zubin Potokut

Konfirmohet raportimi i Kanal10: Mbetjet kockore të gjetura në Zubin Potok dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.