Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Prishtina në ritmin e maratonës, disiplina mbi 42 kilometra

Gazeta10
20 September 2026 - 12:50

Ka filluar edicioni i 26-të i maratonës “Prishtina 2026″ me mbi 1 mijë e 700 vrapues, nën organizimin e Federatës së Atletikës së Kosovës.

Kryetari i kësaj federate, Halil Sylejmani për KosovaPress tha se ka garues ndërkombëtarë, jo vetëm shqiptarë derisa tregoi edhe disiplinat që posedon kjo maratonë.

“Garues ka shumë si sot. Janë mbi 1700 garues. Dhe është në disa disiplina. Disiplina është 42 kilometra 195 metra, është 21, 10 kilometra, 5 kilometra edhe 2 kilometra për fëmijë. Kjo e bën një numër shumë të madh të garuesve, të cilëve unë i dëshiroj sukses të gjithsecilit që të fiton”, tha Sylejmani.
Ai tha se maratona e nisur në orën 09:00 do të zgjasë 6 orë, ndonëse sipas tij, kanë probleme me komunikacion, ani se e kanë paralajmëruar si aktivitet tek autoritet.

Më tej, Sylejmani bëri të ditur se janë të përfshira të gjitha grupmoshat derisa theksoi se ndër garuesit më të moshuar është shtetasi nga Shqipëria, Muhamet Rama, mbi 70 vjeç.

Pjesëmarrës në këtë maratonë ishte edhe Artan Thaçi, djali i ish-humoristit të njohur Rasim Thaçi.

Ai për KosovaPress tha se nuk është hera e parë që vrapon në këtë maratonë, por që këtë herë kishte një dedikim më të veçantë. I veshur me një fanellë me stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Thaçi tregoi se këtë herë vrapimi kishte domethënie të veçantë. Mes tjerash, ai, çdo ditë që po kalon pas aktgjykimit dënues po e përshkruan si ditë zie.

“Nuk është hera e parë. Është disa herë që marrë pjesë. Domethënë në këtë edicion, në krahasim me edicionet e tjera ka qenë një vrapim me dedikim, domethënë pikërisht me stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…Secila ditë që po kalon ndoshta mos me tepruar në shprehje, po sikur me qenë një ditë zie. Po shihet që atmosfera, energjia e njerëzve domethënë nuk është aspak e mirë. Vendimi patjetër që është vendim i padrejtë edhe po shihet që është i ndikuar politikisht. Kështu që ne gjithmonë si popull shpresojmë që me një ditë do të lirohen, po sa më shpejt është fjala. Dhe le të vijnë në vendin e vet, se ne nuk mundemi me u krahasuar me agresorin, me njerëzit që kanë kryer gjenocid. Kështu që po shpresoj shumë që do të kthehen sa më shpejt”, tha Thaçi.

Ndërsa, Abide Ujkani që vrapoi 5 kilometra tregoi që kjo është hera e tretë që marrin pjesë në maratonë.

Në maratonë nuk munguan as fëmijët, ishte Sara Lekaj, 10 vjeçare që mori pjesë për herë të parë në këtë edicion.
Në fund, u potencua rëndësia e pjesëmarrjes në këso maratona dhe u shpreh inkurajim që të shtohen ende më shumë garuesit viteve vijuese.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.