Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Hamza shpjegon projektligjin e dorëzuar në Kuvend: Rastet që nuk hyjnë në juridiksionin e Speciales do të transferohen në Kosovë

Gazeta10
21 September 2026 - 12:08

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka njoftuar se kanë proceduar në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza tha se “Kosova po kalon momente të rënda” dhe se Kuvendi i Kosovës nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek Republikën e Kosovës.

Kryetari i PDK-së tha se nuk synojnë mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat është krijuar ajo, përfshirë pretendimet për trafikim organesh.

“Kjo nuk është një nismë për pandëshkueshmëri. Është një nismë për të caktuar, paracaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë”, tha ai.

Hamza tha se projektligji përcakton se “kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, ai transferohet në Kosovë, së bashku me dosjen, provat dhe materialin e tij”. Sipas tij, në këtë mënyrë “drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku duhet të vazhdojë”.

Ai bëri të ditur se projektligji përfshin edhe mbikëqyrjen e punës së Dhomave të Specializuara nga organizata ndërkombëtare.

Hamza tha se “procedurat aktuale vazhdojnë deri në vendimin e Apelit”, por në rast se Apeli urdhëron rigjykim, sipas tij, “ai rigjykim nuk zhvillohet sërish para Dhomave të Specializuara”, por “transferohet në Kosovë”.

Kreu i PDK-së tha se është takuar me liderët e partive të tjera politike dhe u bëri thirrje atyre që ta mbështesin këtë nismë.

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.