
Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar që sa më parë të zgjidhet edhe nënkryetari i grupit të dytë më të madh parlamentar në vendimin që mori ndaj kërkesës së PDK’së për vlerësim të kushtetutshmërisë së konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.
“TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar jashtë afatit kushtetues dhe për rrjedhojë, afati për Presidentin ka nisur nga data 8 gusht kur është dashur të konstituohet Kuvendi.
Ky afat për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor.
Ndërkaq, formimi i Qeverisë është shpallë kushtetues.