Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Familja Bunjaku priste në këtë përvjetor krerët e UÇK-së: Gjykim i padrejtë në Hagë, thirrje për unitet

Gazeta10
24 September 2026 - 15:48

Çdo 24 shtator, familja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, e përkujton me krenari dhe dhimbje heroin që humbi jetën në krye të detyrës, duke mbrojtur vendin.

Në trevjetorin e rënies së tij, familjarët e kanë kujtuar Afrimin me emocione të veçanta. Përveç dhimbjes për humbjen e tij, këtë vit ata shprehen të zhgënjyer që në mesin e tyre nuk janë edhe disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.

Arton Bunjaku, djali i axhës së Afrimit, tha se kjo datë për familjen shoqërohet gjithmonë me ndjenja të përziera.

“Ne si familje çdo herë në këtë datë normalisht që ndiejmë dhimbje dhe njëkohësisht edhe kemi krenari, pasi që Afrimi nuk ra vetëm për vete, por ra për Kosovën, dha më të shtrenjtën, jetën e tij. Por në këtë përvjetor ndihemi me shumë emocione të përziera, pasi që kemi pritur që çlirimtarët tanë të jenë në mesin tonë”, tha Bunjaku.

Ai e cilësoi si të padrejtë procesin gjyqësor në Hagë dhe shprehu shpresën që ish-drejtuesit e UÇK-së të lirohen dhe të kthehen në Kosovë.

“Na tani vetëm sa i përcollëm tre djemtë e prijësve të luftës, çlirimtarëve të Kosovës. Sa ishim krenarë, ndjejmë edhe dhimbje, pasi që drejtësia nuk po vihet në vend dhe sakrifica e tyre po mohohet. Gjithmonë si popull kemi qenë të shtypur dhe kjo tregon më së miri në gjykimin e fundit që patëm në Hagë”, tha ai.

Bunjaku u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare që, sipas tij, ta përcjellin më nga afër situatën në Kosovë dhe të trajtojnë edhe përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

“Ata janë çlirimtarë, janë heronj të gjallë dhe nga këtu i bëj thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të marrë masa dhe t’i lirojë sa më parë. E agresorët, të cilët enden lirshëm nëpër Serbi, t’i thërrasin para drejtësisë, t’i gjykojnë dhe t’u japin dënimin e merituar”, tha Bunjaku.

Ai theksoi se sakrifica e atyre që dhanë jetën për Kosovën nuk duhet të harrohet dhe bëri thirrje për unitet qytetar.
Bunjaku: Nuk mund të tjetërsohet liria e Kosovës

“Nuk mund të tjetërsohet liria e Kosovës dhe mundi i djemve e bijave tona, të cilët deri në këtë moment e dhanë çdo gjë më të shtrenjtën për Kosovën. Andaj, i bëj thirrje edhe gjithë popullit të jenë unifikues dhe të dërgojnë një mesazh të bashkësisë ndërkombëtare, të jemi të barabartë dhe të mos na mohohen të drejtat tona”, tha ai.

Rreshteri Afrim Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, gjatë një sulmi ndaj Policisë së Kosovës. Për sulmin, autoritetet e Kosovës kanë akuzuar grupin e armatosur të udhëhequr nga Milan Radoiçiq.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.