
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka nisur sot mbledhjen e parë në kuadër të Legjislaturës së 11-të.
Mbledhja është thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërsa në takim janë të pranishëm edhe përfaqësues të partive opozitare.
Takimi po zhvillohet në kuadër të fillimit të punës së institucioneve të reja pas konstituimit të Kuvendit.
Kuvendi ishte shpallur i konstituuar më 13 shtator, pas zgjedhjes së nënkryetarëve. Pozita e nënkryetarit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës kishte mbetur e paplotësuar.
Albulena Haxhiu ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit më 9 shtator, me 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që konstituimi i Kuvendit është bërë pas afatit kushtetues, por ka kërkuar që të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarit të dytë. Kalimi i këtij afati, ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, në rastin kur posti është vakant, si dhe për formimin e Qeverisë.