
Pak pa u mbushur dy javë nga dita kur i shkoi mysafire në zyrat e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e ngarkuara me detyrë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati e priti si nikoqire, shefin e këtij institucioni, Blerim Isufajn.
Në një njoftim të përfaqësisë së shtetit më të fuqishëm në botë që i referohet takimit të zhvilluar të enjten, thuhet të dy diskutuan për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm në luftimin e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së, si terrorizmi, kontrabanda e drogës dhe e migrantëve, krimet kibernetike dhe organizatat kriminale transnacionale.
Disa nga këto tema ishin përmendur edhe më 11 shtator në takimin në zyrat e PSRK-së.
“Gjatë takimit u diskutua për punën e Prokurorisë Speciale dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Prokuroria Speciale e ka falënderuar znj. Prattipati dhe Ambasadën Amerikane për mbështetjen e dhënë në hetimet e sukseshme kundër organizatave kriminale që merren me krimin transnacional, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese amerikane në luftën kundër krimit të organizuar transnacional”, thuhej në njoftimin pas atij takimi./kp