Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gërvalla mohon lidhjet me UNMIK-un, EULEX-in dhe Specialen: Aktgjykimi do të vijë shpejt

Gazeta10
26 September 2026 - 14:43

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka mohuar çdo lidhje të saj me bashkëpunimin me UNMIK-un, EULEX-in apo Gjykatën Speciale, duke thënë se nuk ka pasur asnjë pikë takimi me këto institucione, as drejtpërdrejt dhe as tërthorazi.

Ajo ka deklaruar se nuk dëshiron të komentojë më tej akuzat për lidhje të tilla, duke theksuar se aktgjykimi pritet të publikohet së shpejti.

“Tek deklaratat që më lidhin mua në çfarëdo lloj forme me bashkëpunimin, tashmë është bërë bajate sepse i kam shpjeguar disa herë. Nuk kam në asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale, nuk kam asnjë pikë takimi, as direkt e as indirekt”, ka deklaruar Gërvalla.

Ajo ka thënë se pret që aktgjykimi të sqarojë përfundimisht çështjen, duke shprehur shpresën se ata që e kanë akuzuar do të reflektojnë.

“Mirëpo, edhe pak durim duhet të kemi sepse aktgjykimi do të vijë shpejt dhe do ta shohim shumë shpejt. Edhe një shpresë të vogël e kam që në fakt ata që më së shumti kanë bërtitur në këtë lëmi, ata që më së shumti më kanë etiketuar me lloj-lloj emrash, të paktën para pasqyrës të skuqen për një moment që nuk kanë dashur t’i dëgjojnë faktet, por kanë zgjedhur që të përsërisin rrenat e qitura në qarkullim nga ata vetë”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka mohuar gjithashtu se ka heshtur për zhvillimet që lidhen me proceset në Hagë. Sipas saj, përgjegjësia e saj si ministre është që të angazhohet në aspektin institucional dhe ligjor.

“Ndërsa sa i përket heshtjes, unë nuk kam heshtur. Jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa unë së bashku me ekipin tim, që nga dita e parë, jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media”, është shprehur ministrja.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.