Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Lehtësohet konvertimi i patentave të Kosovës në Austri

Gazeta10
29 September 2026 - 12:41

Nga 1 shtatori 2026 kanë hyrë në fuqi ndryshime që prekin procedurën e konvertimit të patentave të vozitjes të lëshuara nga Kosova në patente austriake, transmeton albinfo.at.

Shtetasit e Kosovës që jetojnë në Austri do të mund ta ndjekin procedurën e konvertimit të patentës së vozitjes sipas rregullave të reja që kanë hyrë në fuqi më 1 shtator 2026.

Austria vazhdon t’i njohë patentat e vozitjes të Kosovës për të gjitha kategoritë për qëllim të konvertimit në patentë austriake. Në këtë proces nuk kërkohet provim praktik i vozitjes.

Një nga ndryshimet e reja lidhet me rastet kur autoritetet austriake e marrin patentën origjinale për kontroll teknik ose kriminalistik, me qëllim të verifikimit të autenticitetit të dokumentit.

Në këto raste, drejtuesit të mjetit i lëshohet një vërtetim zyrtar i përkohshëm, i cili i mundëson të vazhdojë drejtimin e automjetit derisa të përfundojë procesi i verifikimit. Në këtë dokument shënohen kategoritë e patentës që posedon drejtuesi.

Vërtetimi i përkohshëm mund të përdoret deri në lëshimin e patentës austriake, por jo më shumë se gjashtë muaj nga momenti i vendosjes së banimit të zakonshëm në Austri.

Ndërkohë, patentat e vozitjes të Kosovës mund të përdoren në Austri për gjashtë muaj pas vendosjes së banimit. Pas përfundimit të kësaj periudhe, patenta duhet të konvertohet në patentë austriake.

Ndryshimet prekin edhe kategoritë profesionale të vozitjes, përkatësisht C, C1, CE, C1E, D, D1, DE dhe D1E. Për drejtuesit mbi moshën 60-vjeçare, vlefshmëria e këtyre kategorive zgjatet nga dy në pesë vjet, me kusht që të plotësohet kërkesa për raport mjekësor mbi aftësinë për vozitje.

Po ashtu, ndryshime janë bërë edhe sa i përket patentave ndërkombëtare të vozitjes të lëshuara sipas Konventës së Vjenës. Sipas rregullave të reja, ato mund të kenë vlefshmëri deri në tre vjet, krahasuar me një vit sa ishte më parë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.