
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin e paralajmëruar për 1 tetor në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Duke folur në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, Gucati tha se kërkesat e paraqitura në konferencën e sotme për media janë të arsyeshme, ndërsa theksoi se është kërkuar nga deputetët që të iniciohet plotësimi dhe ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale.
Gucati tha se, nëse kjo çështje nuk futet në rend dite dhe nuk procedohet në Kuvend, sipas tij, protestat në rrugë do të jenë të pashmangshme.
“Rruga nuk është ajo që e preferojmë shumë, nuk kemi dëshirë, por po vjen momenti që të dalim në rrugë”, tha Gucati.
Ai u bëri thirrje veteranëve të luftës, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe qytetarëve që t’i bashkohen marshit të 1 tetorit.
Gucati tha se thirrja u drejtohet edhe shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Shpresoj dhe besoj se do të dimë të protestojmë ashtu siç na ka hije, në mënyrën më të mirë të mundshme, të qetë. Të mbushet sheshi me njerëz që të vijnë të shprehin pakënaqësitë e veta”, u shpreh ai./Gazeta10