Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Pas më shumë se 200 vjetësh, një grua pritet të ekzekutohet në Tennessee të ShBA-së

Gazeta10
30 September 2026 - 15:38

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka refuzuar kërkesën për ndalimin e ekzekutimit të Christa Pike, e dënuar me vdekje në Tennessee për vrasjen e një 19-vjeçareje.

Pike, 50 vjeçe, pritet të ekzekutohet nesër, e mërkurë, me injeksion vdekjeprurës, pasi edhe guvernatori i Tennessee-t, Bill Lee, refuzoi të hënën kërkesën e saj për falje, raporton BBC.

Nëse ekzekutimi kryhet, Pike do të bëhet gruaja e parë që ekzekutohet në Tennessee pas më shumë se 200 vjetësh.

Ajo ishte 18 vjeçe në vitin 1995 kur, së bashku me të dashurin e atëhershëm, rrahu, torturoi dhe vrau Colleen Slemmer, 19 vjeçe.

Të dyja ishin pjesë e një kampi trajnimi për të rinjtë që kishin probleme.

Avokatët e Pike kanë argumentuar se ajo ishte shumë e re në kohën e krimit për t’u dënuar me vdekje, duke theksuar se truri i një 18-vjeçari nuk është ende i zhvilluar njësoj si ai i një të rrituri.

Pike ndodhet në burgun e të dënuarve me vdekje që nga viti 1996.

Sipas të dhënave të cituara nga mediat amerikane, që nga vitet 1970 në SHBA janë ekzekutuar 18 gra, ndërsa numri i burrave të ekzekutuar gjatë kësaj periudhe është 1,663.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.