
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka reaguar lidhur me vendimin e 16 shtatorit të Gjykatës Speciale, duke kritikuar mungesën e transparencës dhe llogaridhënies.
I ftuar në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, Mustafa tha se askush nuk kishte besuar se një institucion i themeluar nga Kuvendi i Kosovës do të mund të arrinte deri në pikën që, sipas tij, të marrë vendime pa fakte konkrete, të cilat e dëmtojnë imazhin e shtetit dhe luftën e popullit të Kosovës.
“Ka munguar transparenca, llogaridhënia, por askush s’ka besuar që një institucion i themeluar nga Kuvendi i Kosovës mund të shkojë deri aty që, pa asnjë fakt konkret, të marrë vendime që e njollosin rëndë shtetin dhe lirinë e popullit të Kosovës”, deklaroi Mustafa.
Ai tha se pas zhvillimeve të fundit ka ardhur momenti që të ketë reagim për të ndalur, siç e quajti ai, këtë praktikë.
“Ka ardhur momenti që ne duhet të reagojmë për ta ndalur këtë praktikë, e cila po shihet që, në emër të popullit të Kosovës, i ka bërë dëmin më të madh të mundshëm popullit të Kosovës”, u shpreh deputeti i PDK-së.