Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

AKP miraton shitjen e 35 aseteve dhe hap valën e re të privatizimit me 147 asete

Gazeta10
30 September 2026 - 22:14

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e rregullt, në të cilën u shqyrtuan dhe miratuan një sërë vendimesh me rëndësi për përmbushjen e mandatit të saj.

Fillimisht Bordi emëroi Kryesuesin dhe një anëtar të Komitetit të Auditimit të AKP-së pasi që për pozitat e sipërpërmendura kishte kaluar mandati.

Për të siguruar mbikëqyrjen më efektive të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore dhe raportimit Bordi aprovoi Termat e Referencës për zhvillimin dhe integrimin e Modulit për raportet dhe veprimet në terren në sistemin ERP/SIM-AKP.

Sipas saj, sa i përket shitjeve me tender publik Bordi aprovoi transaksionet e ShAL 75 ku në ditën e shitjes janë pranuar oferta për 38 asete ku vlera e ofertave të para është 10,340,229€, nga të cilat u aprovuan 35, 2 oferta janë anuluar nga arsyet e parapara në legjislacionin përkatës dhe për 1 aset është pezulluar shitja për shkak të vendimit nga gjykata. Bordi në pajtim me mandatin e tijë po ashtu vendosi për shpalljen e valës së privatizimit ShAL 76 me 147 asete nga të cilat asete 21 janë propozime fillestare dhe 126 asete janë ritenderime.

Sa i përket procesit të shitjeve direkte Bordi shqyrtoi raportet fillestare rekomanduese e që pas shqyrtimit aprovoi si të ligjshme 3 kërkesa dhe udhëzoi menaxhmentin për vazhdim të procedurës së mëtutjeshme, kurse 12 kërkesa u refuzuan. Po ashtu u miratuan 11 raporte përfundimtare të shitjes direkte përfshirë çmimin e shitjes si dhe është autorizuar menaxhmenti për vazhdimin me procedurat e përmbylljes së shitjes.

Bordi po ashtu vendosi që të aprovoj raportet e Komisionit për Përcaktimin e Statusit për: 1) KPS 1552/PRN 215 “Tehnogas” Kraljevo/asetet ne Prishtinë dhe 2) KPS 1417/PRN121 “Radan’ Lebane/Aseti në Dobratin si dhe çdo aset të këtyre ndërmarrjeve që do të identifikohet në të ardhmen, ku u vendos që janë në pronësi shoqërore dhe bien nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Sa i përket qiradhënies Bordi aprovoi rezultatet e qiradhënies publike të aseteve të NSh-ve nën Administrim Direkt – NSH “Jatex”, bazuar në tenderin publik të mbajtur më 14 gusht 2026, ndërsa aprovoi edhe transferin e dy kontratave të qiradhënies.

Në fushën e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, Bordi miratoi shpërndarjen e mjeteve për kreditorët e NSh-ve si në vijim: 1) NSh Gërmia PRN093 në shumë prej 29,901.40 € për 47 kreditor, 2) NSh Tregtia e Kosovës PRN102 në shumën totale 48,499.90 për 1 kreditor. Bordi po ashtu miratoi buxhet shtesë për 5 ndërmarrje shoqërore pasi që për të njëjtat ende nuk kanë përfunduar procedurat e likuidimit.

Agjencia Kosovare e Privatizimit mbetet e përkushtuar që, në përputhje me mandatin e saj ligjor, të avancojë proceset e privatizimit, likuidimit dhe administrimit të aseteve shoqërore në mënyrë transparente, profesionale dhe në funksion të mbrojtjes së interesit publik.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.