Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

IKD i kërkon KPK-së të mos cenojë funksionalitetin e Prokurorisë Speciale

Gazeta10
02 October 2026 - 15:10

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) që të mos ndërmarrë veprime që mund të cenojnë funksionalitetin dhe pavarësinë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Në një reagim të publikuar të premten, IKD ka shprehur shqetësim lidhur me takimin e jashtëzakonshëm të KPK-së, i cili është thirrur për sot në orën 15:00, me pikë të rendit të ditës diskutimin për performancën e Kryeprokurorit të PSRK-së.

“Llogaridhënia nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si arsyetim për vendimmarrje me procedura të shpejta dhe të paqarta ndaj një kryeprokurori”, thuhet në reagimin e IKD-së.

IKD ka theksuar se kjo çështje merr rëndësi të veçantë për shkak të rasteve që trajtohen nga PSRK-ja.

“Me theks të veçantë në kohën kur kjo prokurori është duke trajtuar lëndë që ndërlidhen edhe me luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit transnacional dhe në bashkëpunim me shtetet mike të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Sipas IKD-së, reformat në sistemin prokurorial duhet të forcojnë besimin e publikut dhe të garantojnë pavarësinë e sistemit nga çdo perceptim për ndikim politik.

“Reformat në sistemin prokurorial duhet të promovojnë besimin e publikut në këtë sistem dhe të garantojnë pavarësinë e këtij sistemi nga çfarëdo perceptimi për ushtrim të ndikimit politik në sistemin prokurorial”, thekson IKD.

Instituti ka rikujtuar edhe rastin e vitit 2025, kur KPK kishte shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, vendim që më pas ishte anuluar nga Gjykata Supreme.

“KPK para se të ndërmarrë çfarëdo veprimi lidhur me Kryeprokurorin e PSRK-së, duhet të marrë për bazë faktin se tanimë kemi një precedent serioz që ndërlidhet me vendimmarrje të shpejtë dhe të pabazuar nga ana e KPK-së dhe që do të duhej të shërbejë si mësim institucional”, thuhet në reagim.

IKD ka kërkuar që çdo proces që mund të prekë pozitën ose mandatin e Kryeprokurorit të PSRK-së të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe praktikën gjyqësore.

Sipas IKD-së, vlerësimi i performancës duhet të jetë “profesional, i drejtë, i paanshëm, objektiv dhe i bazuar në indikatorë të matshëm”, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e prokurorëve në trajtimin e rasteve individuale.

“Kërkesa për llogaridhënie nuk duhet të përdoret si instrument apo mënyrë për ndërhyrje në pavarësinë funksionale të një zyre prokuroriale, sikurse pavarësia nuk mund të shfrytëzohet si arsyetim për mungesë të llogaridhënies”, ka theksuar IKD.

Në fund, IKD ka thënë se nuk e sheh të qartë urgjencën e mbajtjes së një takimi të tillë pa u përfunduar dhe shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion.

“Andaj, IKD kërkon nga KPK që të sigurojë proces të drejtë dhe të pavarur, të mos marrë asnjë veprim i cili do të cenonte parimet e sigurisë juridike, funksionalitetin e PSRK-së dhe, më e rëndësishmja, besimin në KPK dhe perceptimin për pavarësinë e sistemit prokurorial”, përfundon reagimi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.