Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Goditet anija në Hormuz, Irani vendos “traun”: Ngushtica e mbyllur, plotësoni 7 kushtet

Gazeta10
04 October 2026 - 17:18

Irani ka paralajmëruar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa Shtetet e Bashkuara të plotësojnë shtatë kushtet e Teheranit për përfundimin e konfliktit.

Kryenegociatori Mohammad Bagher Ghalibaf deklaroi: “Edhe amerikanët kanë mbetur të zhgënjyer nga rezistenca dhe vendosmëria e popullit iranian. Ndërsa amerikanët thonë diçka tjetër në media, së fundmi ata kanë paraqitur propozime përmes ndërmjetësve. Por duhet të kuptojnë se epoka e zvarritjes së procesit dhe e diktimit të kërkesave të njëanshme ka marrë fund. Qëndrimi i Republikës Islamike të Iranit është plotësisht i qartë dhe përfundimtar. Derisa të përmbushen shtatë kushtet tona, të bazuara në Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit, Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapet.”

Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se lufta nuk mund të zgjidhet me forcë ushtarake apo sanksione të reja, por vetëm përmes negociatave diplomatike. Tensionet janë përshkallëzuar edhe në Gjirin Persik, ku një cisternë nafte raportoi se ishte goditur nga një predhë e paidentifikuar në Ngushticën e Hormuzit, duke pësuar dëmtime në dhomën e motorëve, ndërsa ekuipazhi rezulton i sigurt.

Në një tjetër zhvillim, Arabia Saudite dhe rebelët Houthi të Jemenit kanë shkëmbyer sulme, me raportime për goditje ajrore saudite në qytetin Abs dhe sulme me raketa drejt Riadit dhe kompleksit energjetik. Rusia është ofruar të ndërmjetësojë mes Uashingtonit dhe Teheranit, por zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë, Dmitry Medvedev, ka theksuar se Moska nuk do të sakrifikojë marrëdhëniet strategjike me Iranin.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani është dobësuar rëndë dhe paralajmëroi se Uashingtoni mund të veprojë “me të mirë ose me të keq”, nëse nuk arrihet një marrëveshje. Në sfondin e përshkallëzimit, në Camp David është zhvilluar një takim i nivelit të lartë i zyrtarëve amerikanë për të diskutuar strategjinë ndaj Iranit dhe situatën në Jemen, ndërsa siguria e furnizimeve globale me naftë mbetet në rrezik.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.