
Kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është përgjigjur kërkesës së kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të kalojë në lexim të dytë.
Haxhiu tha se PDK-ja ka ndryshuar qëndrimin vetëm pak kohë pasi, sipas saj, ishte arritur një dakordim mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
Ajo tha se e kupton rëndësinë dhe ndjeshmërinë e çështjes, por theksoi se dakordimi ishte që fillimisht të zhvillohej një takim mes Kurtit dhe Hamzës dhe më pas të arrihej një marrëveshje për hapat e mëtejshëm.
“E kuptojmë rëndësinë e çështjes. Dakordimi ishte që pas takimit ndërmjet kryetarëve, përkatësisht kryeministrit Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, të mund të arrihej një dakordim për çështjen në fjalë. Kështu ishte marrëveshja, kjo u bë para shefave të grupeve parlamentare dhe nuk e kuptoj si ka mundësi që, pa kaluar shumë kohë prej momentit kur jemi marrë vesh, vini dhe e ndryshoni qëndrimin”, tha Haxhiu.
Ajo i bëri thirrje PDK-së dhe partive të tjera që të takohen dhe të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke e cilësuar këtë çështje si urgjente, veçanërisht pas vendimit të 16 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së.
“Unë ju inkurajoj që, për shkak pikërisht të urgjencës që kemi dhe ndjeshmërisë pas vendimit të 16 shtatorit, është shumë e rëndësishme që të jemi bashkë dhe t’i japim vendit president. Sepse ne mund ta votojmë ligjin, por ata atje, nëse ne shkojmë në zgjedhje, mbesim vetëm”, deklaroi Haxhiu.
Haxhiu kërkoi nga partitë politike që të ulen së bashku, të arrijnë një marrëveshje dhe të shmangin një tjetër proces zgjedhor për shkak të moszgjedhjes së presidentit.
“Prandaj, sot ju ftoj, edhe si kryetare e Kuvendit, edhe si ushtruese e detyrës së presidentes: takohuni, merruni vesh dhe ejani në seancë. Nuk ka më të rëndësishme, po e përsëris, se presidenti. Jo për shkak të emrit të përveçëm, por nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje për herë të dytë për shkak të presidentit”, tha ajo.
Në fund, Haxhiu e cilësoi situatën si papërgjegjësi ndaj qytetarëve dhe u bëri thirrje deputetëve që të veprojnë në përputhje me përgjegjësitë e tyre institucionale.
“Është papërgjegjësi, është moskokëçarje në raport me përgjegjësitë që i kemi para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, ju lutem që të veproni në përputhje me përgjegjësitë. Mos i vendosni as deputetët e Kuvendit në një situatë të tillë”, tha Haxhiu./Gazeta10