
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, në konferencën për media ka deklaruar se mbrojtja e luftës së UÇK-së për liri dhe pavarësi nuk duhet të jetë vetëm përgjegjësi e PDK-së, por e të gjitha subjekteve politike.
Hamza ka thënë se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nuk ndodhen në Hagë për veprime të pasluftës, duke theksuar se bëhet fjalë për një çështje që lidhet me luftën për liri dhe pavarësi.
“Jo vetëm PDK-ja duhet të flasë për mbrojtjen e luftës së UÇK-së për liri e pavarësi. Duhet të flasin edhe të tjerët. Kjo u takon të gjitha subjekteve politike”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka thënë se PDK-ja nuk i ka bërë askujt favor me mbështetjen për Ligjin, duke kundërshtuar interpretimet se kjo çështje nuk ka lidhje me procesin për zgjedhjen e presidentit.
“Po thonë se nuk ka ndërlidhje çështja e ligjit me presidentin, por në fakt çështja e presidentit u mbivendos mbi ligjin”, është shprehur Hamza.
Ai ka bërë të ditur se është takuar me liderët e subjekteve politike, por ka thënë se PDK-ja nuk dëshiron të zhvillojë “seri episodesh” pa rezultate konkrete.
“Jam takuar me të gjithë liderët, por s’mundemi me bë seri episodesh pa rezultate. Pse të mos aprovohet ligji të shtunën apo të dielën?”, ka deklaruar ai.