
Lionel Messi e përjetoi me emocione të jashtëzakonshme ndeshjen e fundit me fanellën e Argjentinës.
Para mbërritjes në stadiumin “Monumental”, kapiteni i “Albicelestes” u pa duke qarë në autobusin e ekipit, ndërsa mijëra tifozë kishin dalë në rrugë për ta përshëndetur.
Në stadium, më shumë se 85 mijë tifozë i dhanë lamtumirën legjendës argjentinase. Ndeshja ndaj Beninit përfundoi me fitoren 3-0 të Argjentinës, ndërsa Messi ishte protagonist me një gol dhe dy asistime.
Në minutën e 10-të, ndeshja u ndërpre për një spektakël të veçantë me fishekzjarre, në nderim të fanellës së famshme me numrin 10.
Pas përfundimit të ndeshjes, qielli mbi “Monumental” u kthye në një ekran gjigant me qindra dronë, të cilët formuan imazhe të Messit, numrin 10, fanellën e tij, trofeun e Kupës së Botës dhe mesazhin “Gracias Leo”.
Megjithatë, spektakli me dronë pati edhe një moment polemik. Në fillim u shfaq logoja e sponsorit Sancor Seguros, gjë që shkaktoi vërshëllima nga një pjesë e tifozëve, të cilët prisnin që menjëherë të niste homazhi për Messin.
Madje, në një prej figurave të krijuara nga dronët u vu re edhe një gabim: Messi paraqitej duke goditur topin me këmbën e djathtë, edhe pse ai është i famshëm për të majtën e tij.
Ishte një natë e paharrueshme për Messin, i cili pas 21 vitesh me Kombëtaren e Argjentinës i dha fund aventurës së tij ndërkombëtare në mënyrën më emocionale të mundshme.