
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka theksuar rëndësinë e koordinimit institucional lidhur me procesin gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), veçanërisht në fazën e Apelit.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Nagavci ka bërë të ditur se Vetëvendosje ka shprehur rezerva për trajtimin e kësaj çështjeje përmes një projektligji, megjithatë ka mbështetur deputetët që kanë konsideruar se kjo është rruga e duhur.
“Ne kemi shprehur rezervat tona në adresimin e kësaj çështjeje në projektligj. Gjithsesi, ne kemi dhënë mbështetje deputetëve që kanë besuar se kjo është rruga e duhur”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka nënvizuar gjithashtu nevojën për harmonizim të veprimeve ndërmjet institucioneve, në mënyrë që çështjet me interes për vendin të trajtohen përmes një qasjeje të koordinuar institucionale.