
Ndërmarrja “Trepça” Sh.A. nuk ka dhënë pëlqim apo autorizim për ndërtimin e amfiteatrit në sheshin e Mitrovicës së Veriut, ndërsa për këtë çështje i është drejtuar gjykatës për mbrojtjen e të drejtave të saj pronësore.
Në një përgjigje për KosovaPress, “Trepça” ka bërë të ditur se nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare për lejimin e realizimit të punimeve në këtë lokacion.
“Për këtë arsye, Trepça Sh.A. i është drejtuar Gjykatës me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të saj pronësore dhe ndalimit të punimeve të realizuara pa pëlqimin e ndërmarrjes”, thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes.
Punimet për ndërtimin e amfiteatrit kishin nisur më 14 shtator, ndërsa vlera e projektit është 50 mijë e 475 euro.
Më 23 shtator, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur masë të përkohshme ndaj Komunës së Mitrovicës së Veriut, duke ndaluar vazhdimin e punimeve në këtë lokacion.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, parcelat ku kanë nisur punimet figurojnë të regjistruara në pronësi të “Trepçës”, ndërsa provat fotografike dëshmojnë se në to kanë filluar ndërhyrjet. Gjykata ka vlerësuar se ndërmarrja e ka bërë të besueshme ekzistimin e së drejtës së pretenduar mbi këto prona dhe se kërkesa për caktimin e masës së përkohshme është e bazuar.
Masa ndalon Komunën të kryejë çfarëdo punimi, ndërtimi, ndërhyrjeje, shfrytëzimi apo aktiviteti tjetër në parcelat përkatëse, deri në një vendim tjetër të gjykatës.
Ndërkaq, nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adriana Hoxhiq, e kishte cilësuar çështjen si një keqkuptim mes Komunës dhe “Trepçës”.
Ndërmarrja publike “Trepça” ka vazhduar gjatë muajve të fundit aksionet për rikthimin nën menaxhimin e saj të pronave në veri të Kosovës.
Në Mitrovicë të Veriut, ndërmarrja ka rikthyer në menaxhim disa prona që, sipas saj, kanë qenë jashtë menaxhimit për vite me radhë. Në mesin e tyre janë dy lokale në sheshin e qytetit, në rrugën “Koloshini”, të cilat, sipas “Trepçës”, për 27 vjet kishin qenë jashtë menaxhimit të saj.
Ndërmarrja ka rikthyer edhe prona të tjera të shfrytëzuara nga biznese, ndërsa në Zveçan kishte marrë në posedim dhe administrim një objekt që ishte përdorur nga ish-Banka Komerciale.
Në kuadër të këtij procesi, “Trepça” kishte vendosur njoftime në hyrje të pronave, përmes të cilave u kishte kërkuar shfrytëzuesve të paraqisnin dokumentacionin përkatës. Kryeshefi i ndërmarrjes, Faton Ahmeti, kishte deklaruar se, në rastet kur nuk paraqitej dokumentacion që dëshmonte të drejtën mbi pronën, ndërmarrja ndërmerrte masa për lirimin e saj.
Më 22 prill, “Trepça” kishte rrënuar mbi 20 garazhe dhe objekte të tjera pranë Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë të Veriut. Sipas ndërmarrjes, objektet ishin ndërtuar në pronën e saj dhe hapësirat ishin uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme.
Nga “Trepça” ishte bërë e ditur se aksioni ishte ndërmarrë pas një periudhe mbi dymujore, gjatë së cilës palëve u ishte dhënë mundësia të paraqisnin prova apo të shprehnin interesim për rregullimin e statusit përmes kontratës.
Për këtë aksion kishte reaguar kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, i cili kishte thënë se Komuna nuk ishte njoftuar apo konsultuar për rrënimin dhe se nuk kishte pranuar shkresë nga “Trepça” për një veprim të tillë.
Çështja e pronave të “Trepçës” ishte diskutuar edhe në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, më 30 shtator. Asamblisti Marko Jakshiq kishte kërkuar që në rendin e ditës të përfshihej diskutimi për pronat për të cilat ndërmarrja pretendon se janë të sajat.
Zëvendëskryesuesja e Kuvendit, Aida Ferati-Doli, kishte thënë se kjo çështje nuk duhet të politizohet apo të ndërlidhet me përkatësi etnike. Ajo kishte theksuar se “Trepça” ka prona edhe në komuna të tjera të Kosovës dhe se, sipas saj, ndërmarrja e ka dëshmuar pronësinë mbi këto prona edhe në gjykatë.
Gjatë diskutimit pati përplasje mes Ferati-Dolit dhe kryesuesit të Kuvendit, Ivan Zaporozhac, pasi ky i fundit ia ndërpreu fjalën. Edhe asamblisti Emir Azemi kishte kritikuar mënyrën e drejtimit të seancës, duke thënë se kryesuesi duhet t’u japë mundësi asamblistëve për debat. /A.Pllana/