
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, e cilësoi nisjen e punimeve në segmentin Bukojçan–Kërçovë si hap të rëndësishëm për përmirësimin e lidhshmërisë infrastrukturore dhe zhvillimin e vendit.
Sot kanë nisur punimet për ndërtimin e autostradës në segmentin Bukojçan–Kërçovë, pjesë e rëndësishme e Korridorit 8.
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, tha se ky projekt ka kaluar nëpër sfida të shumta, por se angazhimi institucional ka mundësuar gjetjen e zgjidhjeve për vazhdimin e tij.
Shaqiri përmendi edhe punimet që nisën në fund të gushtit për fazën e dytë të autostradës Shkup–Bllacë, e cila do të përmirësojë lidhjen strategjike me Kosovën.
Ndërkohë, në Botum po punohet për tejkalimin e sfidave inxhinierike në autostradën Kërçovë–Ohër.
Sipas zëvendësministres, zgjidhjet teknike që po zbatohen synojnë stabilizimin e terrenit dhe krijimin e bazës së sigurt për ndërtimin e autostradës.
Ajo theksoi se synimi është që projektet strategjike, disa prej të cilave kanë mbetur të papërfunduara ose janë zvarritur për vite me radhë, të shndërrohen në vepra konkrete me rezultate për qytetarët.
“Korridori 8 nuk është vetëm një rrugë apo një projekt i vetëm. Ai është një lidhje strategjike që duhet të përfshijë çdo rajon dhe të krijojë mundësi më të mira për qytetarët”, u shpreh Shaqiri.