
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së shtëpisë-muze të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli në Menkulas të Devollit, me rastin e përvjetorit të 95-të të lindjes.
Kreu i Shtetit vlerësoi figurën e Dritëro Agollit si një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare, i cili, përmes veprës së tij, e bëri vendlindjen pjesë të pandashme të identitetit kombëtar.
“Njeriu largohet nga vendlindja për të njohur botën, por ka njerëz që, përmes veprës së tyre, e bëjnë vendlindjen të njohur për botën. Dritëro Agolli i bëri të dyja këto”, theksoi Begaj.
Hapja e shtëpisë-muze, theksoi Presidenti Begaj, përfaqëson një akt mirënjohjeje kombëtare ndaj shkrimtarit, por edhe një investim me vlerë për trashëgiminë kulturore, raporton ATSH.
“Inaugurimi i kësaj shtëpie-muze sot është jo vetëm një akt mirënjohjeje ndaj një shkrimtari të shquar, por edhe një shembull i përgjegjësisë që komunitetet lokale duhet të kenë për historinë dhe identitetin e tyre. Kjo nuk është thjesht shtëpia e kujtesës së një individi. Është një pasuri e re kulturore e Devollit, një adresë e re për vizitorët, studiuesit dhe të rinjtë, një hapësirë që i shtohet trashëgimisë sonë kulturore kombëtare”, u shpreh Begaj.
Kreu i Shtetit evidentoi aftësinë e Dritëro Agollit për të pasqyruar jetën dhe botën shpirtërore të njerëzve të zakonshëm, mjeshtërinë e përdorimit të gjuhës shqipe, çka e bëri një nga zërat më të fuqishëm dhe të dashur të letërsisë shqipe.
“Dritëroi ishte shkrimtar që nuk i shihte njerëzit nga lart. Ai qëndronte mes tyre. Prandaj lexuesi shqiptar e ndiente të afërt: në poezinë e tij gjente ndjenjat e veta, në prozën e tij njihte njerëzit që kishte takuar, ndërsa në humorin e tij zbulonte të vërteta që shpesh nuk mund të thuheshin ndryshe”, tha Begaj.
Krahas figurës së Agollit si shkrimtar, Presidenti vlerësoi dhe kontributin e tij si intelektual në debatet shoqërore, sidomos gjatë ndryshimeve të viteve ’90. Ai shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë në ruajtjen e kujtesës dhe trashëgimisë së Dritëro Agollit, duke theksuar rëndësinë e këtij investimi për të ardhmen, veçanërisht për edukimin e të rinjve.
Më herët, Presidenti Begaj u prit në Bashkinë e Devollit nga Kryetari, Eduard Duro, dhe Prefektja e Korçës, Florinda Zegullaj.
Kreu i Shtetit i përgëzoi ata për nismat në shërbim të zhvillimit të zonës dhe vlerësoi shpirtin punëtor e sipërmarrës të devollinjve.
Gjatë vizitës në Devoll, Kreu i Shtetit u ndal edhe në Teqenë e Inonishtit në Kuç dhe në kishën e Shën Kollit në Hoçisht, dy monumente fetare me vlera historike të zonës.