
Kreu i ekipit negociator të Serbisë, Petar Petkovic, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sa i përket zbatimit të marrëveshjes kadastrale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Petkovic, Kurti po e kërkon zbatimin e një marrëveshje të tillë, ndërkohë që po refuzon themelimin e Asociacionit.
“Për të gjithë është e qartë se Kurti pranon vetëm atë që u bën dëm serbëve, dhe kjo është arsyeja pse ai i shmanget Asociacionit prej 13 vitesh”, ka shkruar Petkovic.
Marrëveshjen Kadastrale ai e ka quajtur si “marrëveshja e Borkos”, duke thënë se Beogradi s’mban përgjegjësi për moszbatimin e saj.
“Beogradi nuk mban përgjegjësi për moszbatimin e Marrëveshjes së Kadastrës, por Prishtina, e cila e ka zhvlerësuar plotësisht të gjithë marrëveshjen me qëllim legalizimin e konfiskimit të pronave serbe. Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë, pavarësisht dëmit të madh që na ka shkaktuar marrëveshja e Borkos”, ka shkruar tutje Petkovic.