
Analisti politik Halil Matoshi, në emisionin “Politiko” në Kanal 10, ka komentuar protestën kundër Gjykatës Speciale në Hagë dhe ndikimin që, sipas tij, ajo pati në shoqërinë kosovare.
Matoshi ka thënë se PDK-ja ishte vetëm sponsorizuese e nismës, ndërsa protesta mori karakter gjithëpopullor, duke bashkuar qytetarë përtej përkatësive politike.
“Shoqëria kosovare e ka një siklet të madh. Ka pasur një revoltë goxha masive dhe, për herë të parë, unike”, ka deklaruar Matoshi.
Ai ka vlerësuar se reagimi qytetar ndaj dënimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë krijoi një ndjenjë të përbashkët mes qytetarëve, në një shoqëri që, sipas tij, shpesh karakterizohet nga përçarjet dhe tensionet.
Matoshi ka thënë se pas votimit të ligjit dhe zgjedhjes së presidentes, tensionet mes qytetarëve janë zbutur, duke përmendur atmosferën në rrugë, kafene, autobusë, oda, institucione dhe studio televizive.
“E shihni ju që pas votimit të ligjit, pas zgjedhjes së presidentes, tensioni qytetar ka rënë. Shihet në rrugë, në kafene, në autobus, në odë, në parlament, në qeveri, gjithkund”, ka thënë ai.
Analisti ka bërë të ditur se, ndonëse nuk është pjesë e PDK-së, ka marrë pjesë në protestë, duke theksuar se vendimin e ka marrë në bazë të bindjeve dhe ndërgjegjes së tij.
“Unë në PDK nuk jam, por unë kam dalë në protestë, sepse zëri i ndërgjegjes të shtyn me bë diçka ose mos me bë diçka”, ka deklaruar Matoshi në “Politiko” të Kanal 10./Gazeta10