
Shefi i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla i ka uruar shërim të shpejtë Ledion Ballës, të riut që u lëndua rëndë gjatë protestës së të martës në Tiranë.
Përmes një postimi në Facebook, Balla deklaroi se i riu nuk kishte të bënte fare me protestën, ndërsa shtoi se hetimi i plotë duhet të nxjerrë shkakun e frakturës në këmbë dhe përgjegjësitë individuale.
Pos tjerash, deputeti tha se ky rast nuk duhet të përdoret kundër Policisë së Shtetit si institucion.
“Shërim të shpejtë Ledion Ballës, djalit tonë nga Librazhdi, që s’kishte asnjë lidhje me huliganët. Hetimi i plotë duhet të nxjerrë shkakun e frakturës në këmbë dhe përgjegjësitë individuale. Kurrësesi ky rast nuk duhet të përdoret kundër Policisë së Shtetit si institucion”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, në videon e postuar nga Balla, shihet se të riun e ka vizituar ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.
Ai dëgjohet duke i thënë asaj se nuk kishte fare lidhje me protestën.