
Komandanti i ri i misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka thënë se procesi i optimizimit të misionit nuk nënkupton tërheqje nga Kosova dhe as zvogëlim të përkushtimit për mbrojtjen e të gjitha komuniteteve, duke theksuar se KFOR-i do të vazhdojë të ruajë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët.
Në një konferencë për media pas marrjes së detyrës, Vergori ka thënë se misioni do të vazhdojë të zbatojë mandatin e bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa do të përshtatë praninë dhe veprimtarinë e tij sipas vlerësimit të situatës së sigurisë në terren.
“Ky proces nuk nënkupton tërheqje nga misioni dhe në asnjë mënyrë nuk e zvogëlon përkushtimin e KFOR-it për mbrojtjen e të gjitha komuniteteve dhe për të punuar në të mirë të tyre, gjithmonë dhe pa dallim, çdo ditë. Këtë do ta bëjmë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe njësitë e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), duke respektuar rolin përkatës të secilit në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë”, tha ai.
Vergori ka theksuar se gjatë mandatit të tij KFOR-i do të veprojë me vendosmëri, disiplinë dhe paanshmëri, duke synuar ruajtjen e stabilitetit dhe krijimin e kushteve të sigurisë që mbështesin edhe përpjekjet diplomatike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Gjatë mandatit tim, do të qëndrojmë të palëkundur në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë. Do të veprojmë me vendosmëri dhe disiplinë, si dhe me paanshmëri të palëkundur, në të mirë të të gjitha komuniteteve. Gjithashtu, do të vazhdojmë të krijojmë kushtet e sigurisë që mbështesin përpjekjet diplomatike, përfshirë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha ai.
Komandanti i ri i KFOR-it ka thënë se vlerësimi i vazhdueshëm i situatës në terren është thelbësor për përshtatjen e pranisë së misionit dhe rritjen e efektivitetit të tij.