
Dritan Goxhaj, veteran i UÇK-së dhe protestues nga Tirana, ka folur në një lidhje direkte në emisionin “Politiko” në Kanal10, për protestat dhe përplasjet e fundit mes protestuesve dhe Policisë në kryeqytetin shqiptar.
Goxhaj tha se protesta fillimisht ishte organizuar nga qytetarët e Tiranës, ndërsa më vonë asaj iu bashkuan edhe studentët, të cilët, sipas tij, kanë marrë tashmë drejtimin e saj.
Ai shpjegoi se përplasjet e fundit erdhën pas ndërhyrjes së policisë ndaj studentëve, të cilët ishin mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit.
“Policia ka ndërhyrë aty duke përdorur gaz lotsjellës dhe makinat e ujit. Në atë moment studentët dhe pjesa tjetër janë ndier të provokuar dhe ka ardhur një reagim i akumuluar”, tha Goxhaj.
Sipas tij, pakënaqësia e protestuesve është shtuar edhe për shkak të kohëzgjatjes së protestës, duke pretenduar se për 135 ditë ata kanë protestuar paqësisht, ndërsa qeveria nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre.
Goxhaj tha se reagimi i protestuesve erdhi pas përdorimit të forcës nga policia, duke përmendur gazin lotsjellës, spërkatësit kimikë, makinat e ujit dhe plumbat e gomës.
Ai theksoi se situata pjesërisht doli jashtë kontrollit, pasi, sipas tij, pakënaqësia ishte grumbulluar gjatë muajve të protestës./Gazeta10