
Avokati Sherif Sherifi, i ftuar në emisionin e Gazeta në Kanal10, ka komentuar çështjen e ligjit që lidhet me Gjykatën Speciale, duke vlerësuar se gjatë procesit të hartimit dhe shqyrtimit të tij duhej të konsultoheshin personalitete me përvojë profesionale dhe ekspertizë juridike.
Sherifi ka theksuar se, sipas mendimit të tij, përfshirja e ekspertëve do të ndihmonte në trajtimin më të mirë të çështjeve juridike që lidhen me këtë ligj.
“Konsideroj se ka pasur nevojë të konsultoheshin personalitete me përvojë profesionale dhe ekspertizë. Mendimi im është se nuk do duhej të rrëzohej ky ligj”, ka deklaruar Sherifi.
Ai ka rikujtuar se Kuvendi është institucioni që miraton ligjet, por ka vënë në pah se në këtë rast çështja është më e ndjeshme, për shkak të ndërveprimit të ligjit me Gjykatën Kushtetuese dhe Dhomat e Specializuara.
Sipas Sherifit, pikërisht për shkak të këtyre ndërlidhjeve juridike, ligji duhej të trajtohej me kujdes të shtuar dhe me konsultime profesionale, për të shmangur dilemat dhe kontestimet eventuale ligjore.