
Pas largimit nga ndërtesa e Kryeministrisë, përplasjet e ashpra mes protestuesve dhe forcave të rendit u përhapen në pjesë të tjera të kryeqytetit në Tiranë.
Situata ka shënuar një tjetër përshkallëzim të rëndë te godina e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ku protestuesit i kanë vendosur zjarrin hyrjes kryesore të këtij institucioni, raportojnë mediat shqiptare.
Mirëpo raportohet se flakët janë neutralizu nga hedhja e ujit nga veturat e policisë.
Për të tretën ditë radhazi, Shqipëria po përballet me protesta që janë shoqëruar me akte dhune e vandalizmi dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Protestat, të organizuara nga studentët, kanë krijuar gjendje kaotike në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Ka pasur edhe të arrestuar.
Ndërkohë në reagim kryeministri Edi Rama e ka fajësuar opozitën për këto zhvillime, por ka shtuar se nuk e mendon dorëheqjen.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në një mesazh drejtuar qytetarëve në momentet kur Shqipëria është përfshirë nga protesta të dhunshme, ka bërë thirrje për qetësi.
Ai ka thënë se dhuna nuk është zgjidhje dhe të gjitha palët duhet të ulen në dialog.
Më herët në një konferencë për media, drejtori i Policisë, Skënder Hita, ka deklaruar se do t’u përgjigjen protestuesve me forcën që ua garanton ligji, duke shtuar se vetëpërmbajtja e policisë, nuk duhet marrë për dobësi.
Ai ka thënë se për rreth 72 orë 71 policë kanë marrë lëndime trupore.