Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Abdixhiku pas kthimit të ligjit për Specialen: Nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik

Gazeta10
22 October 2026 - 18:08

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një postimi, Abdixhiku ka kritikuar ata që, sipas tij, e kanë sulmuar dhe akuzuar LDK-në për qëndrimin e saj lidhur me këtë ligj, duke theksuar se partia e tij ka thënë atë që e konsideron të vërtetë.

“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se LDK-ja është fyer dhe është paraqitur si kundërshtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për shkak të qëndrimit të saj ndaj ligjit.

“Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!”, ka deklaruar ai.

Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja e ka mbajtur qëndrimin e saj, pavarësisht sulmeve që, sipas tij, ka pritur se do të pasonin.

“LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Ai u është drejtuar edhe mbështetësve të partisë, duke u bërë thirrje që të qëndrojnë krenarë për qëndrimet e saj.

“Mbështetësve tanë u themi qëndroni gjithmonë krenarë! Mund të na sulmojnë nga të gjitha anët, por qëndrimet e LDK-së i kanë qëndruar provës së historisë. Do t’i qëndrojnë sërish! Sepse ato nuk përcaktohen nga vërshimet e momentit, por nga bindjet mbi Republikën. Veç duhet kohë”, ka theksuar Abdixhiku.

Në fund të reagimit, ai ka ritheksuar qëndrimin e tij për luftën e UÇK-së, duke kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar debati për ligjin.

“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu!”, ka përfunduar Abdixhiku.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.