
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka vizituar Prokurorinë Themelore në Prizren dhe atë në Gjakovë, ku ka diskutuar me prokurorët për rezultatet e punës, ngarkesën me lëndë, mungesën e prokurorëve dhe sfidat që ndikojnë në efikasitetin e trajtimit të rasteve penale.
Në këto vizita, Gashi ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeprokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, dhe drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi.
Fillimisht, Kryeprokurori i Shtetit i njoftoi prokurorët për veprimet e ndërmarra që nga emërimi i tij, të cilat, sipas njoftimit, synojnë përmirësimin e cilësisë së punës në institucionin e Prokurorit të Shtetit, si dhe mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të prokurorëve.
Një nga çështjet kryesore të ngritura gjatë takimeve ishte vonesa në realizimin e ekspertizave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF).
Lidhur me këtë problematikë, Gashi bëri të ditur se shqetësimet tashmë i ka adresuar te institucionet përgjegjëse.
“Shqetësimet lidhur me vonesat në kryerjen e ekspertizave i kam adresuar në institucionet përkatëse, respektivisht në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke shpresuar që këto problematika të ngritura do të marrin trajtimin e duhur institucional”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimeve u diskutua edhe për rezultatet e punës në këto prokurori, numrin e lëndëve dhe mungesën e stafit prokurorial, si faktorë që ndikojnë në trajtimin me kohë të rasteve penale.
Në fund, Gashi kërkoi nga prokurorët që të tregojnë profesionalizëm dhe të arrijnë rezultate të matshme në trajtimin e rasteve që janë në kompetencën e tyre.
Ai u shprehu mbështetjen profesionale dhe institucionale prokurorëve të të dyja prokurorive, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit.