
Avokati i Gani Gecit, Besnik Berisha ka pretenduar se klienti i tij u përball me presion për të pranuar fajësinë, në këmbim të mundësisë për t’u liruar nga paraburgimi.
Në një reagim publik, avokati ka thënë se e ka revokuar autorizimin si mbrojtës, pasi, sipas pretendimeve të tij, procedura në Prokurorinë Themelore në Prishtinë e vuri Gecin përballë zgjedhjes mes vazhdimit të paraburgimit dhe pranimit të fajësisë.
Avokati ka pretenduar se gjatë marrjes së parë në pyetje, e cila përfundoi në orën 12:36, Geci e mohoi kanosjen.
Sipas tij, në orën 13:05 nisi marrja e dytë në pyetje, ndërsa pesë minuta më vonë ai revokoi autorizimin dhe u largua. Në orën 13:16, sipas avokatit, procedura përfundoi me pranimin e përgjegjësisë penale dhe propozimin për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.
Ai ka kërkuar nga Kryeprokurori i Shtetit dhe institucionet kompetente që të hetojnë rrethanat e procedurës, duke përfshirë pretendimin se paraburgimi është përdorur si mjet presioni për sigurimin e pranimit të fajësisë.
“Fajësia duhet të provohet për t’ia marrë njeriut lirinë, jo të pranohet për t’ia kthyer atë!”, ka shkruar avokati.