Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ministri Sveçla merr pjesë në samitin evropian kundër drogave në Itali

Gazeta10
23 October 2026 - 18:36

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë për parandalimin dhe trajtimin e varësisë nga drogat, i mbajtur në komunitetin San Patrignano në Itali, në kuadër të nismës së Koalicionit Evropian Kundër Drogave.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka bërë të ditur se takimi është udhëhequr nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë evropianë.

Ai ka theksuar se në këtë takim, në emër të Republikës së Kosovës, ka riafirmuar përkushtimin për një qasje që ndërthur sigurinë publike me mbrojtjen e shëndetit publik.

Sipas Sveçlës, përmes Strategjisë Shtetërore Kundër Drogave 2024–2028, Kosova po synon forcimin e masave parandaluese, trajtimit dhe rehabilitimit, me fokus të veçantë te mbrojtja e të rinjve dhe fuqizimi i komuniteteve.

Gjatë takimit është miratuar edhe Deklarata e Përbashkët, përmes së cilës, siç ka shkruar Sveçla, riafirmohet zotimi politik dhe institucional për bashkëpunim, duke vendosur parandalimin, mbrojtjen dhe mirëqenien e të rinjve në qendër të angazhimit.

Ministri ka theksuar se lufta kundër drogave kërkon si goditjen e rrjeteve kriminale, ashtu edhe mbështetjen për personat që përballen me varësinë.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur rezultatet e Policisë së Kosovës gjatë vitit 2025, duke bërë të ditur se janë iniciuar 750 raste dhe janë arrestuar 961 të dyshuar.

Sveçla ka shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë, përmes shkëmbimit të informacionit dhe veprimeve të përbashkëta kundër krimit të organizuar.

Sipas tij, synimi është mbrojtja e qytetarëve, veçanërisht e të rinjve, si dhe ndërtimi i një shoqërie më të sigurt dhe më të shëndetshme./Gazeta10

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.