
“Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.
Këto janë fjalët tronditëse që Arlinda Sylaj Zekaj ia drejtoi Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes një letre të siguruar nga Sinjali, e që mban vulën e pranimit të datës 22 tetor 2026, vetëm tri ditë para se të vritej në Vitomiricë të Pejës.
Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur trajtimin e një parashtrese të dorëzuar nga tani e ndjera A.Z., e cila kishte kërkuar veprime urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, për shkak të pretendimeve për dështime në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, parashtresa është pranuar më 22 tetor 2026 nga kryeprokurorja e kësaj prokurorie, e cila ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent.
Qëllimi është vlerësimi i pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkohë, parashtresa u është përcjellë për trajtim urgjent edhe institucioneve përkatëse, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale.
Këtyre institucioneve u është kërkuar shqyrtimi i pretendimeve dhe verifikimi i lëshimeve të mundshme apo veprimeve të zyrtarëve përkatës, brenda përgjegjësive të tyre institucionale.
Sa i përket kërkesës së A.Z. për ekzekutimin e vendimit gjyqësor që lidhej me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka bërë të ditur se vendimi është ekzekutuar me ndërmjetësimin e prokurores kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se të gjitha rrethanat e rastit, përfshirë pretendimet e paraqitura nga e ndjera dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse, do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm, në përputhje me procedurat ligjore.