
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kërkuar dorëheqje dhe shkarkime pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke e cilësuar këtë si një veprim etik dhe përgjegjësi institucionale për një ngjarje që ka tronditur qytetarët e Kosovës.
Nga foltorja e Parlamentit, Tahiri ka thënë se vrasja e Arlindës nuk është rast i izoluar, por pjesë e një fenomeni shqetësues që kërkon reflektim dhe llogaridhënie nga institucionet.
“Pa asnjë dyshim, vrasja e Arlindës është një tragjedi që na ka tronditur të gjithëve, por nuk është rast i veçuar. Fatkeqësisht, është duke u bërë një fenomen i cili në Kosovë na obligon të reflektojmë dhe, mbi të gjitha, të kërkojmë përgjegjësi”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se shprehja e ngushëllimeve dhe dënimi publik i rastit nuk janë të mjaftueshme, duke kërkuar veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse.
“Sot do të duhej të kishte dorëheqje, shkarkim, si veprim etik ndaj një ngjarjeje e cila u shkaktoi dhimbje të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Deputeti i Aleancës ka theksuar se dhuna ndaj grave nuk duhet të trajtohet si një rast i izoluar apo vetëm nga këndvështrimi i femicidit, por edhe në raport me përgjegjësinë institucionale.