
Gëzim Kastrati, babai i së ndjerës Diana Kastrati, i ftuar në Kanal10, foli për rastin e fundit të vrasjes së Arlinda Zekajt dhe ngjashmëritë me tragjedinë që përjetoi familja e tij në vitin 2011.
Kastrati tha se, duke marrë parasysh rrethanat e ditëve të fundit, ka vendosur të dalë publikisht për t’i mbështetur dhe për t’i dhënë kurajo familjes së viktimës.
“Duke i marrë parasysh rrethanat që ndodhën këto ditë, më detyruan t’i mbështes dhe t’i jap kurajo familjes së së ndjerës. U aktivizova pas shumë vitesh që isha larguar nga këto raste, sepse po janë shumë shqetësuese”, ka deklaruar Kastrati.
Ai theksoi se rasti i fundit e ka shqetësuar veçanërisht, për shkak të ngjashmërive me atë që kishte ndodhur me vajzën e tij në vitin 2011.
“Ky rast i fundit me të vërtetë na shqetëson. Ishte rast identik me atë që ndodhi në vitin 2011 me vajzën time. Edhe ajo asokohe kishte kërkuar dy urdhra mbrojtës”, ka thënë Kastrati në Kanal10.