
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar mosparaqitjen e kryeministrit në Prokurori, duke ngritur shqetësime për mesazhin që, sipas saj, po u përcillet qytetarëve lidhur me respektimin e sundimit të ligjit.
Përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, Musliu ka pyetur se si mund të kërkohet respektimi i ligjit nga qytetarët, kur, sipas saj, edhe drejtuesit e institucioneve nuk i përgjigjen ftesave të organeve të drejtësisë.
“Pse të mos trimërohen kriminelët në Kosovë, kur nga vetë kreu i shtetit u krijohet bindja se përballja me drejtësinë është çështje zgjedhjeje dhe jo detyrim ligjor?”, ka deklaruar Musliu.
Ajo ka theksuar se mosrespektimi i ftesave të Prokurorisë nga ana e kryeministrit, për muaj të tërë, dërgon mesazhe të gabuara te qytetarët dhe te të gjithë ata që duhet të japin llogari para ligjit.
Në fund të reagimit, deputetja e PDK-së ka rikujtuar se sundimi i ligjit duhet të fillojë nga udhëheqësit e vendit, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi drejtësinë.