
Policia e Kosovës në Ferizaj ka identifikuar një 19-vjeçar, i cili ishte incizuar duke drejtuar një veturë të tipit BMW me shpejtësi prej 170 kilometrash në orë në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj.
Në këtë zonë të banuar, kufizimi i shpejtësisë ishte 40 km/h, ndërsa i riu kishte publikuar vetë pamjet e kundërvajtjes në rrjetet sociale.
Gjatë verifikimeve, policia ka konstatuar se R.T. nuk posedonte as patentë shoferi. I njëjti ka pranuar se ishte drejtuesi i veturës në momentin e incizimit.
Ndaj tij janë ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore dhe është iniciuar rast për kundërvajtje në gjykatë.
Policia ka apeluar te qytetarët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi.