
Një studiuese e vlerësuar me çmime nga Universiteti i Kembrixhit humbi jetën në aksidentin hekurudhor në Spanjë, ndërsa po udhëtonte për të marrë një çmim për ekselencë shkencore, ka raportuar BBC.
Dr. Marta Shahbazi po udhëtonte drejt një ceremonie ndarjeje çmimesh të mërkurën, kur treni në të cilin ndodhej u përplas me një tjetër pranë Urda-s, në jug të Madridit; nga ky aksident humbën jetën 69 persona.
Ajo ishte nënë e dy fëmijëve dhe punonte si profesoreshë e asociuar, duke drejtuar një grup studiuesish në Laboratorin MRC të Biologjisë Molekulare (LMB) në Kembrixh. Ajo kishte fituar disa çmime për punën e saj mbi embrionet njerëzore dhe biologjinë qelizore.
Në një deklaratë, LMB-ja bëri homazhe për “shkencëtaren frymëzuese, të talentuar dhe pasionante”, duke e përshkruar vdekjen e saj si një “goditje të rëndë dhe humbje të madhe”.
Kjo eksperte e biologjisë qelizore drejtonte Laboratorin Shahbazi pranë LMB-së, i cili ndodhet në Kampusin Biomjekësor të Kembrixhit.
Ajo ishte shpallur fituese e një çmimi nga Shoqëria Spanjolle për Biologjinë e Zhvillimit, për kontributin e saj në studimin e zhvillimit të hershëm njerëzor, dhe pritej ta merrte këtë çmim gjatë një konference në El Rompido, në rajonin e Andaluzisë.
LMB-ja u shpreh: “Si bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijëve të vegjël, Marta shkruante me elokuencë rreth gjetjes së ekuilibrit mes familjes dhe karrierës, duke shërbyer si një model shumë i admiruar i një ‘nëne shkencëtare’ – term ky që ajo e përdorte për ta përshkruar veten.”
“Marta ishte një shkencëtare frymëzuese, e talentuar dhe pasionante, kërkimet e së cilës hodhën dritë mbi hapat më të hershëm të zhvillimit të embrioneve njerëzore, si dhe mbi mënyrën se si ndodhin gabimet që çojnë në dështimin e shtatzënive,” theksoi LMB-ja.