
Një grua 69-vjeçare britanike ka humbur jetën tragjikisht në Spanjë, pasi u fut në det për të shpëtuar mbesën e saj 10-vjeçare, e cila po rrezikohej nga rrymat e forta detare.
Teresa Ford ndodhej me familjen në plazhin Cavalleria, në ishullin Menorca, kur goma e fryrë ku ishte mbesa e saj u përmbys nga dallgët dhe rrymat e fuqishme, shkruan Mirror.
Pavarësisht se kishte një dëmtim në shpatull dhe protezë në ije, 69-vjeçarja u fut në ujë për ta shpëtuar vogëlushen. Edhe bashkëshorti i saj, John, tentoi të ndihmonte, por u përplas me shkëmbinjtë nga rrjedha e fuqishme e ujit dhe pësoi lëndime.
Nëna e vajzës dhe vetë 10-vjeçarja arritën të shpëtonin falë ndërhyrjes së një pushuesi, i cili përdori një litar për t’i nxjerrë në breg.
Djali i Teresës, Andy, ka treguar se vajza e tij tashmë e fajëson veten për vdekjen e gjyshes. Ai dëshiron që ajo të kuptojë se nuk ishte fajtore dhe se gjyshja e saj veproi për ta shpëtuar.
Ai gjithashtu ka ngritur shqetësime për mungesën e shpëtimtarëve në plazh, pasi shërbimi i tyre kishte përfunduar më 15 tetor, gati dy javë para tragjedisë.
Familja e konsideron ngjarjen një humbje të rëndë dhe beson se tragjedia mund të ishte parandaluar.