Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Akademia pët Astrit Deharin, Kurti: Edhe 10 vjet më vonë nuk e dimë emrin e vrasësit

Gazeta10
05 November 2026 - 19:55

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se edhe dhjetë vjet pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ende nuk dihet emri i vrasësit dhe askush nuk është vënë para drejtësisë për këtë rast.

Në akademinë përkujtimore për Deharin, Kurti tha se ndaj tij është kryer krim që nga dita e arrestimit, më 29 gusht 2016, deri në vdekjen e tij më 5 nëntor të po atij viti.

Ai kritikoi mënyrën se si janë zhvilluar hetimet, duke theksuar se gjatë rastit janë ndërruar pesë prokurorë dhe se institucionet e sigurisë e drejtësisë kanë dhënë konstatime para përfundimit të hetimeve.

“Sot, dhjetë vjet më vonë ne ende nuk e dimë emrin e vrasësit, ndërkohë që pesë prokurorë janë ndërruar përgjatë rastit dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij u patën nxituar institucionet e sigurisë e drejtësisë të japin konstatime para hetimeve. Sot e asaj dite askush nuk është akuzuar, arrestuar, gjykuar e dënuar për rastin e Astrit Deharit…”, tha Kurti.

Në këtë akademi, miku i Astrit Deharit, Egzon Haliti, kujtoi përkushtimin e tij ndaj njerëzve në nevojë, si dhe bindjet e tij politike e shoqërore.

“Ai është dëshmor i cili u angazhua çdo ditë për demokratizimin dhe progresin shoqëror”, tha ai.

Edhe bashkaktivistja e Deharit në Lëvizjen Vetëvendosje, Rina Zhitia, kujtoi guximin dhe solidaritetin e tij gjatë përballjeve me aparatin shtetëror.

Ajo tha se Dehari u jepte kurajë bashkaktivistëve edhe në momentet më të vështira, ndërsa ka theksuar se kërkesa për drejtësi do të vazhdojë.

Si pjesë e aktiviteteve në nderim të Astrit Deharit, sonte bëhet ndezja e qirinjve te murali “Astrit Dehari”, si dhe mbahet Nata përkujtimore “Astriti në kujtimet e shokëve dhe shoqeve”.

Ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje vdiq më 5 nëntor 2016, në moshën 26-vjeçare, derisa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, nën dyshimet për përfshirje në sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në gusht të atij viti. Vdekja e tij në paraburgim nxiti reagime dhe protesta, ndërsa rrethanat e rastit vazhduan të jenë objekt hetimesh dhe kërkesash për zbardhjen e së vërtetës.

Ekspertiza fillestare e institucioneve vendore e kishte cilësuar vdekjen si pasojë të asfiksisë së shkaktuar nga vetë ai, ndërsa ekspertiza e mëvonshme e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës ngriti dyshime mbi këtë përfundim, duke mos përjashtuar mundësinë e përfshirjes së një personi tjetër.

Në vitin 2019, hetimet për vdekjen e Deharit kaluan nga Prokuroria Themelore në Prizren te Prokuroria Speciale e Kosovës. Familja Dehari ka kërkuar vazhdimisht zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së tij dhe vendosjen e përgjegjësisë për rastin.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.