
Kryeqyteti ka arritur sot marrëveshje me Sindikatën e punëtorëve grevistë, ndërsa puna e tyre e rregullt pritet të rifillojë gjatë javës së ardhshme, njoftoi Drejtoria e Arsimit në Prishtinë.
“Veprimet e nevojshme administrative tashmë janë ndërmarrë. Pagesat e para janë realizuar sot, ndërsa pjesa tjetër pritet të përfundojë deri të martën.
Deri në rikthimin e punëtorëve teknik, duke filluar nga sot, pastrimi dhe mirëmbajtja e shkollave do të mbulohen nga Ndërmarrja Publike Banesore dhe ndërmarrja “Pastrimi”, thuhet në njoftim.
Drejtoria e Arsimit bëri të ditur se do të koordinojë dhe mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave, për të siguruar kushte të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Shqetësimet tuaja për higjienën në shkolla janë edhe shqetësimet tona. Shëndeti dhe siguria e fëmijëve mbeten prioriteti ynë. Presim që procesi mësimor të vazhdojë normalisht, ndërsa çdo situatë që cenon kushtet higjieno-sanitare do të trajtohet me përgjegjësi dhe me masat e nevojshme.
Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në tejkalimin e kësaj situate”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë.