Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Lajm i mirë për nxënësit/ Përfundon greva e punëtorëve teknikë në shkollat e Prishtinës

Gazeta10
10 November 2026 - 15:18

Greva e punëtorëve teknikë të shkollave fillore në Komunën e Prishtinës ka përfunduar.

Kështu ka njoftuar Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, e cila ka bërë të ditur se greva është përmbyllur me sukses.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, ka njoftuar se sot do të mbahet një takim me kryetarët e shoqatave të punëtorëve teknikë të shkollave fillore të kryeqytetit, raporton KP.

Takimi do të zhvillohet në zyrat e Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK).

Sipas njoftimit, gjatë takimit do të diskutohen zhvillimet që kanë çuar në përfundimin e grevës, si dhe çështjet që lidhen me realizimin e kërkesave të punëtorëve teknikë.

Sindikata nuk ka dhënë hollësi se cilat kërkesa janë realizuar dhe nëse është arritur ndonjë marrëveshje konkrete për përmirësimin e kushteve të punës.

Edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka njoftuar se janë realizuar pagesat ndaj punëtorëve teknikë të cilët ishin në grevë.

Në një postim në Facebook ka shkruar se tash presin që puna në shkollat dhe çerdhet e kryeqytetit të rifillojë në përputhje me kontratat dhe marrëveshjen e arritur.

“Pagesat janë ekzekutuar. Tash presim përgjegjësi dhe punë! Gjatë ditës së djeshme janë ekzekutuar pagesat ndaj operatorëve ekonomikë, punëtorët teknikë të të cilëve ishin në grevë. Presim që puna në shkollat dhe çerdhet tona të rifillojë në përputhje me kontratat dhe marrëveshjen e arritur”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të krijojnë një Task-Forcë për mbikëqyrjen e higjienës në çdo shkollë dhe çerdhe, për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve higjieno-sanitare dhe përgjegjësi nga secili operator dhe çdo punonjës i Drejtorisë së Arsimit.

Punëtorët teknikë të disa shkollave të mesme në kryeqytet, qysh në ditën e parë të shtatorit kanë nisur grevën për shkak të mospagesave fillimisht dhe kërkesës që të respektohet paga minimale. Ata kishin thënë se ajo do të ndërpritet vetëm kur të përmbushen të gjitha obligimet ndaj tyre nga Komuna e Prishtinës.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.