Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Bien lindjet në Shqipëri, 10 qarqe regjistrojnë tkurrje gjatë vitit 2026

Gazeta10
10 November 2026 - 16:30

Shqipëria po përballet me një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i vazhdueshëm, në shumicën e qarqeve po regjistrohen më shumë vdekje sesa lindje.

Edhe në tremujorin e tretë të këtij viti, 7 nga 12 qarqe rezultojnë me bilanc negativ natyror. Korça mban rekordin më negativ ndërsa më pozitive situata paraqitet në Tiranë.

Sipas të dhënave të INSTAT-it gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026 në Shqipëri u regjistruan 5.787 lindje dhe 5.045 vdekje. Në shkallë vendi bilanci natyror rezultoi pozitiv me 742 lindje më shumë se vdekje.

Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, lindjet kanë rënë me 10,5%, ndërsa vdekjet janë rritur me 0,4%. Pas këtij bilanci qëndrojnë zhvillime demografike si emigracioni, numri i ulët i lindjeve dhe ndryshimet në strukturën e popullsisë. Faktorë që ndikojnë në numrin e personave që jetojnë në vend dhe në raportin mes lindjeve dhe vdekjeve.

Edhe shpërndarja sipas qarqeve tregon se kjo prirje nuk është e njëjtë në të gjithë vendin.

Tirana kryeson për numrin e lindjeve, me 2.708 foshnje të ardhura në jetë, por edhe për numrin e vdekjeve me 1.328 raste. Për pasojë kryeqyteti regjistron shtesën më të lartë natyrore me 1.380 lindje më shumë se vdekje.

Në anën tjetër Korça ka bilancin më negativ me 220 vdekje më shumë se lindje. Gjirokastra regjistron numrin më të ulët të lindjeve vetëm 66.

Në krahasim me tremujorin e tretë të vitit të kaluar 10 qarqe kanë shënuar rënie të lindjeve. Tkurrja më e fortë është regjistruar në Fier me 20,1% ndërsa Dibra ka shënuar rritjen më të lartë me 3,9%.
Sa u përket vdekjeve janë rritur në 7 qarqe. Rritjen më të madhe e ka regjistruar Kukësi, me 15,7% ndërsa Dibra ka shënuar rënien më të fortë me 17,8%.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.