
Analisti politik Arton Demhasaj ka ngritur shqetësimin për praktikat e disa mediave në Kosovë, të cilat, sipas tij, përdorin raportimin si mjet presioni ndaj bizneseve, me qëllim që të përfitojnë fonde ose reklama.
Në emisionin “Adresa” në Kanal10, Demhasaj ka thënë se nuk bëhet fjalë për të gjitha mediat, por ka raste kur biznese të caktuara bëhen cak i raportimeve negative për aq kohë sa nuk pranojnë të financojnë mediumet përmes reklamave.
Ai ka treguar edhe një rast që, sipas tij, lidhet me një gazetë e cila kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) listën e bizneseve më të mëdha.
Demhasaj ka shpjeguar se mediumi kishte përsëritur disa herë kërkesën për qasje në dokumente zyrtare, por nuk i kishte publikuar të dhënat. Ndërkohë, pas një periudhe, në gazetë kishin filluar të shfaqeshin reklama të bizneseve që, sipas tij, ende nuk i kishin paguar detyrimet ndaj ATK-së.
“Ka media në Kosovë që përdorin shantazh ndaj bizneseve. Raportojnë dhe shkruajnë për një biznes ose për disa biznese për aq kohë sa nuk mund të marrin fonde ose reklama”, ka deklaruar Demhasaj.
Sipas tij, raste të tilla përbëjnë një formë presioni ndaj bizneseve dhe e dëmtojnë rolin e medias në informimin e publikut.