
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka folur për djalin e tij, i cili së fundmi është bërë pjesë e ushtrisë së Kroacisë.
I ftuar në emisionin “Adresa”, Quni ka treguar se nuk ka qenë bash e lehtë të përshtatet në një ambient të ri kulturor, duke pasur parasysh edhe faktin se nuk e zotëron gjuhën në nivel të kënaqshëm.
“ Nuk është e lehtë për një djalë të ri të kalojë nga një ambient në një ambient tjetër kulturor, të cilin nuk e njeh mirë dhe nuk e zotëron gjuhën aq mirë. Por ja që e ka guximin dhe karakterin e fortë për t’u përballur me situata në ambiente të panjohura”, ka deklaruar Quni.
Ai ka bërë të ditur se djali i tij më parë kishte qenë në Kroaci vetëm si turist.
Duke folur për reagimet dhe kritikat që kanë pasuar këtë rast, Quni tha se kjo është hera e parë që po reagon publikisht, ndërsa theksoi se ka pranuar shumë urime dhe përgëzime.
Sipas tij, shërbimi i shqiptarëve me shtetësi të vendeve të tjera në ushtritë e këtyre shteteve është diçka e zakonshme.
“Është e natyrshme të urosh, sikur kur shohim shqiptarë me shtetësi zvicerane që shërbejnë në ushtrinë e Zvicrës. Ata janë një lloj ambasadori i kombit dhe i vlerave tona”, ka thënë Quni.